Sonte finalja Chelsea – Arsenal
Dy futbollistët shqiptarë Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi janë në kërkim të trofeut të tyre të parë me Arsenalin. Arsenali i tyre duhet ta mposhtë sonte Chelsean për ta fituar trofeun e Ligës së Evropës.
Dy skuadrat rivale në Premierë Ligë, Chelsea dhe Arsenal, përballen sonte (e mërkurë) në finale të Evropa Ligës në Stadiumin Olimpik të Bakusë në Azerbajxhan nga ora 21:00.
Kjo është vetëm finalja e dytë angleze në garën e dytë për nga rëndësia që e organizon UEFA. Një e tillë kishte ndodhur në vitin 1972 kur ishin takuar Tottenham Hotspur dhe Wolverhampton Wanderers. Vendi i pestë në Premierë Ligë për Arsenalin do të thotë se trajneri Unai Emery mund të vlerësohet i suksesshëm vetëm nëse do të triumfojë në këtë garë që do t’ia siguronte edhe një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa në anën tjetër trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka qenë nën presion gjatë gjithë sezonit për të bërë Chelsean një skuadër fituese dhe tash e ka rastin që të përfundojë këtë mision.
Chelsea ka pësuar një goditje para kësaj ndeshje, pasi N’Golo Kante është lënduar dhe mund të mungojë në finale. Loftus-Cheek, Hudson-Odoi dhe Antonio Rudiger janë mungesat e tjera në formacionin e Sarrit. Derisa në sulm trajneri italian preferon Giroudin para Higuainit, në anën tjetër Unay Emery nuk mund të llogarisë në mesfushorin Henrikh Mkhitaryan, i cili nuk udhëton në Azerbajxhan për arsye politike. Aaron Ramsey mungon për shkak të lëndimit, kurse mungesa të tjera janë edhe Hector Bellerin, Rob Holding dhe Denis Suarez. Sulmuesi që shumicën e kohës ishte i lënduar, Danny Welbeck, është gati për këtë ndeshje.
/Epoka e re/