Sonte finalja e Kupës së Italisë, Inter – Juventus
Ndeshja finale e Kupës së Italisë ndërmjet Interit dhe Juventusit do të zhvillohet sonte (e mërkurë) me fillim nga ora 21:00. Zikaltrit do ta kërkojnë trofeun e dytë sezonal pas Superkupës.
Klubi nga Milano në këtë sezon ka një bilanc pozitiv ndaj bardhezinjve nisur nga fakti që në dy përballjet e kampionatit ka barazuar një dhe ka fituar një tjetër, pa harruar edhe suksesin në kohën shtesë në Superkupë.
Tashmë Interi do të kërkojë të mbetet i pamposhtur edhe në ndeshjen e katërt ndaj rivalëve historikë, teksa zikaltërve u jep shpresë edhe trajneri Simone Inzaghi, i cili ka statistika të shkëlqyera kur vjen puna te përballjet me Juventusin.
Inzaghi është trajner i Serisë A që ka mposhtur gjashtë herë bardhezinjtë, ndërsa tri prej sukseseve vijnë në Superkupën e Italisë, dy herë me Lazion dhe një herë me Interin. Ndërkaq, Inzaghi ka një kujtim të hidhur në finalen e Kupës së Italisë në sezonin 2016-2017, kur Juventusi fitonte ndaj Lazios.
Gjithsesi, Inzaghi do të kërkojë t’i ruajë statistikat e tij ndaj Juventusit të mërkurën në mbrëmje dhe ta mbyllë sezonin pa asnjë humbje në katër përballje kundër bardhezinjve.