Sonte finalja e Superkupës Prishtina – Trepça
Sonte (e mërkurë) zhvillohet finalja e Superkupës në mes të Sigal Prishtinës dhe Trepçës. “Bardhekaltrit” në gjysmëfinale kanë shënuar fitore ndaj Pejës me rezultat 91:80 (25:30, 22:16, 19:21, 25:13).
Ndeshja, në fakt, ishte e baraspeshuar për 30 minuta, por në çerekun e fundit dhe vendimtar, bardhekaltrit ishin më të mirë për të triumfuar 91:80, MVP i ndeshjes ishte Damire Burns i Sigal Prishtinës me 15 pikë, dhjetë kërcime e pesë asistime.
Në anën tjetër Mitrovicasit kanë mundur Golden Eagle Yllin me rezultat të thellë 83:61 (27:16, 20:14, 19:10, 17:21). “Xehetarët” e nisën ndeshjen më mirë dhe nga fillimi e deri në fund ishin në epërsi. Fituesit aktualë të Superkupës e fituan çerekun e parë 27:16, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, 20:14, për të shkuar në pushim me shifrat 47:30. Në pjesën e dytë vetëm sa e ngritën epërsinë për të triumfuar 83:61.
Mikaile Tmusiq ishte MVP i ndeshjes me 16 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime. Finalja Sigal Prishtina – Trepça zhvillohet të mërkurën nga ora 20:00.