Sonte kompletohen çerekfinalistët në Ligën Kampionëve
Sonte (e mërkurë) kompletohen skuadrat çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve, pasi zhvillohen dy ndeshjet e fundit të 1/8 së finales në mes të Bayern Munchenit dhe Liverpoolit dhe Barcelonës dhe Lyonit.
Ndeshja kryesore zhvillohet në Gjermani, kurse trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka kërkuar që futbollistët e tij të bëjnë një paraqitje superiore nëse dëshirojnë ta eliminojnë Bayernin. “Bayerni është në një fazë më të mirë se ne. Bavarezët janë udhëheqësit e rinj të Bundesligës. Ata janë kthyer në nivelin më të lartë të këtij sezoni, prandaj duhet të jemi të jashtëzakonshëm të mërkurën në ‘Allianz Arena’. Nëse luajmë një ndeshje normale nuk do të kemi mundësi kualifikimi për më tej”, ka thënë Klopp.
Për këtë ndeshje foli edhe ylli i Bayernit, Franck Ribery. Francezi ka lënë të nënkuptohet se ekipi gjerman nuk ka frikë nga Liverpooli dhe nëse luajnë të bashkuar, kualifikimi në çerekfinale do të ndodhë. “Atmosfera është pozitive edhe për faktin se do të luajmë në shtëpi. Liverpooli ka një ekip të fortë, por ne jemi Bayern Munchen. Kemi besim në aftësitë tona dhe nuk kemi frikë nga Liverpooli. Nëse luajmë së bashku dhe luftojmë, atëherë mund të shkojmë në çerekfinale. Kemi një shans të vërtetë për këtë”, ka deklaruar Ribery.
Ndeshja e parë në mes këtyre dy skuadrave, e zhvilluar në Angli, kishte përfunduar 0-0. Bayern Munchen do të jetë në këtë ndeshje pa Joshua Kimmich dhe Thomas Mullerin të cilët nuk kanë të drejtë loje, kurse Corentin Tolisso dhe Kingsley Coman janë të lënduar, derisa David Alaba dhe Arjen Robben janë në dyshim. Lajm i mirë për Liverpoolin është rikthimi i Virgil van Dijkut, kurse mungesat e vetme janë Joe Gomez dhe Alex Oxlade-Chamberlain. Në ndeshjen tjetër do të përballen në “Camp Nou”, Barcelona dhe Lyoni. Edhe ndeshja e parë në mes të këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me rezultat 0-0.
Të mërkurën takohen:
21:00 Bayern Munchen – Liverpool (0-0)
21:00 Barcelona – Lyon (0-0)
/Epoka e re/