Sonte Kosova luan miqësoren me Burkina Fason

24 mars 2022 | 08:10

“Dardanët” sot (e enjte) zhvillojnë miqësoren e parë të muajit mars ndaj Burkina Fasos, e cila pritet të jetë mjaft e veçantë për faktin se debuton përzgjedhësi Alain Giresse. Strategu francez në konferencë për medie ka bërë me dije se në dy miqësoret e këtij muaji do të angazhohen të gjithë futbollistët. Ndërsa kapiteni Amir Rrahmani ka thënë se këto miqësore shërbejnë për ndeshjet e qershorit. 

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën i kreu përgatitjet e fundit për miqësore ndaj Burkina Fasos, e cila zhvillohet sot (e enjte) në stadiumin “Fadil Vokrri”. Në konferencën për medie përzgjedhësi Alain Giresse, i cili do të debutojë në krye të “dardanëve”, ka bërë me dije se motivi te futbollistët është shumë i madh dhe se do t’u jepet rasti të gjithëve të angazhohen. “Në këto dy ndeshje do të tentojmë t’i angazhojmë të gjithë futbollistët. Këto ndeshje do të na shërbejnë për ndeshjet garuese që do t’i kemi në muajin qershor. E vlerësoj motivin dhe entuziazmin e lojtarëve për të luajtur. Ata kishin dëshirë të madhe për ta treguar veten. Kjo është mjaft e rëndësishme. Natyrisht mbetet punë për t’u bërë, sidomos në rastet kur e kemi posedimin dhe në punën pa top”, ka thënë Giresse.

Në konferencën për medie i pranishëm ishte edhe mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, i cili ka deklaruar se miqësoret ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës janë parapërgatitje e mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve, të cilat do të zhvillohen në muajin qershor. “Jemi duke u përgatitur për ndeshjen me Burkina Fason për ta treguar atë që dëshiron trajneri. Pas kësaj ndeshjeje e kemi edhe atë me Zvicrën. Të dyja ndeshjet do të na ndihmojnë për ndeshjet e qershorit në Ligën e Kombeve. Do të jenë ndeshje të rëndësishme. Ta shohim se çka kërkon trajneri nga ne dhe që në këto miqësore të perfeksionohemi për ndeshjet e qershorit”, ka thënë Rrahmani.

Për ndeshjen që zhvillohet sot ka folur edhe sulmuesi më i mirë i Kosovës, Vedat Muriqi. Pavarësisht se është ndeshje miqësore, sulmuesi që angazhohet te skuadra e Mallorcas pret rezultat pozitiv.  “Jemi duke vazhduar punën tonë dhe do ta japim maksimumin si gjithmonë. Edhe pse nuk e njohim Burkina Fason, pak a shumë kemi filluar ta njohim dhe t’i shohim pikat e tyre të dobëta dhe me forcën tonë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv. Shpresoj ta përdorim këtë periudhë të mirë. Kur kemi pasur serinë pozitive prej 13 ndeshjeve pa humbje kemi qenë sikur tash të gjithë në formë dhe shpresoj ta përdorim këtë moment të mirë dhe të arrijmë rezultate të mira. Trajneri i ri? Ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet ta zbatojmë teknikën dhe taktikën e tij. I urojmë mirëseardhje atij dhe shpresojmë që të kemi rezultate të mira së bashku me të”, ka deklaruar Muriqi.

Ndeshja në mes të Kosovës dhe Burkina Fasos nis me fillim nga ora 18:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të…