Sonte Kosova përballet me Maqedoninë
Përfaqësuesja e Kosovës sonte (e enjte) nga ora 20:45 do të përballet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me Maqedoninë, në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2021.
Kapiteni Dardan Berisha ka thënë se Kosova sërish do ta mposhtë Maqedoninë ashtu sikurse në vitin e kaluar. “Jemi shumë të motivuar. Maqedoninë e kemi mposhtur vitin e kaluar, por mund ta mposhtim prapë para shikuesve tanë. Trajneri i ri është me ne, e që është freski për ekip. Ka bërë një punë shumë të mirë me ne. E dimë se çfarë ka qenë kur ka luajtur basketboll. Përvoja e tij na ka përcjellë neve”, ka thënë Berisha.
12 lojtarët që do të luajnë për Kosovën në këtë ndeshje janë: Mirza Ahmetbasiq, Erjon Kastrati, Dardan Berisha, Leonard Mekaj, Valon Bunjaku, Scott Bamforth, Rron Ukaj, Ergin Grosha, Lis Shoshi, Fisnik Rugova, Alban Veseli dhe Gëzim Morina.
/Epoka e re/