Sonte mësohen dy gjysmëfinalistet e parë në Ligën e Kampionëve
Skuadra e Barcelonës synon të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2018-19. Sonte (e martë) pret Paris Saint-Germainin. Skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez hyn në këtë ndeshje me optimizëm për kualifikim, pasi në ndeshjen e parë mori një rezultat të mirë duke fituar në kryeqytetin francez me rezultat 2-3.
“Të shkosh në gjysmëfinale do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Ta shohësh Barcelonën si kjo është tashmë një sukses, por qëllimi është të shkosh në gjysmëfinale dhe do të ishte shumë emocionuese. Aspekti emocional është thelbësor në garat e eliminimit. Jam mirë. Jam i motivuar për këtë ndeshje. Duhet të tregojmë shumë personalitet për të kaluar në gjysmëfinale. Do të jetë një PSG e guximshme dhe do të kemi një avantazh, duke luajtur në shtëpi, por do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Jemi të emocionuar në kuptimin e mirë të fjalës”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez.
Prej se trajneri Xavi njoftoi se do të largohet në verë, forma e Barcelonës ka qenë e shkëlqyer, duke kaluar 13 ndeshje pa humbje në të gjitha garat, me 10 fitore e tri barazime. Edhe në përballjet direkte Barcelona ka gjashtë fitore, derisa PSG-ja ka katër fitore. Në fundjavë Barcelona në La Liga e mposhti Cadizin me rezultat 1-0, por gjasat për titull janë shumë të vogla në këtë edicion. Në anën tjetër PSG-ja është në rrugë të mirë për të fituar një tjetër trofe në Ligën 1, por Liga e Kampionëve është trofeu që klubi dëshiron dhe shpreson që në këtë rrugëtim t’i japë ndihmë edhe ylli i skuadrës Kylian Mbappe, i cili në fund të edicionit mund të transferohet në Real Madrid. Për këtë ndeshje Xavi do ta ketë mungesën e Gavit dhe Alejandro Balde që janë të lënduar si dhe Christensen e Sergi Roberto për shkak të kartonëve të verdhë. Në anën tjetër Luis Enrique nuk do t’i ketë në dispozicion Presnel Kimpemben, Layvin Kurzawa dhe Sergio Ricon, derisa në dyshim është Nordi Mukiele. Në ndeshjen tjetër do të përballen Borussia Dortmundi dhe Atletico Madridi. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Spanjë, Atletico arriti të fitojë me rezultat 2-1.
Formacionet e mundshme:
Barcelona: Ter Stegen; Kounde, Araujo, Cubarsi, Cancelo; Pedri, Gundogan, F de Jong; Yamal, Lewandowski, Raphinha.
Paris Saint-Germain: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Hernandez; Zaire-Emery, Ruiz, Vitinha; Dembele, Ramos, Mbappe.
Të martën takohen:
21:00 Barcelona – PSG (3-2)
21:00 Borussia Dortmund – Atletico Madrid (1-2)
/Epoka e re/