Sonte miqësorja me Bullgarinë, mundësi për lojtarët e rinj të Shqipërisë
Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sonte në fushën e blertë pas fitores së madhe që e regjistroi ditë më parë ndaj Republikës Çeke, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Kuqezinjtë do ta zhvillojnë sonte një ndeshje miqësore me Bullgarinë në stadiumin “Air Albania”.
Kjo do të jetë miqësorja e parë për selektorin Sylvinho, i cili do ta ketë mundësinë t’i shohë nga afër dhe me sytë e tij disa futbollistë që s’kishin mundësi të luanin në ndeshjet eliminatore.
Trajneri brazilian, i cili i ka 6 ndeshje me “Shqiponjat” deri tash, të gjitha kualifikuese (4 fitore, 1 barazim, 1 humbje), pritet t’i pushojë lojtarët kryesore ndaj bullgarëve dhe ta shfrytëzojë këtë test për fytyra të reja, që pritet të jenë në formacionin titullar.
Tifozët, më në fund do ta kenë mundësinë të shohin emra të kërkuar në diskutimet në rrjetet sociale dhe jo vetëm.
Duke nisur nga Muçi, protagonist i një sezoni fantastik me Legian si një ndër yjet në ngjitje të futbollit shqiptar, por edhe në mesfushë e mbrojtje, e deri te porta.
Pavarësisht se një miqësore, fryma pritet të jetë e njëjta: kushdo që zbret në fushë do të duhet të japë maksimumin me përqendrim total.
Një sfidë e rëndësishme kjo në planin personal edhe për futbollistët.
Me Shqipërinë që pret ta formalizojë në nëntor kualifikimin në Euro 2022, çdo shans është i rëndësisë së jashtëzakonshme për çdo futbollist për t’i treguar trajnerit brazilian se vlen për t’u ftuar në fazën finale të Kampionatit Evropian që do të zhvillohet verën e vitit të ardhshëm në Gjermani.
Bullgaria, edhe pse një emër i madh i futbollit botëror, teksa shkonte deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në 1994, prej vitesh nuk përjeton kohë të mira.
Ata nuk kualifikohen në një event madhor që nga Evropiani i 2004.
Bullgaria nuk fiton prej një viti, suksesi i fundit për ta ka qenë në mesin e nëntorit të kaluar, një fitore 2-0 në miqësore me Qipron.