Sonte miqësorja vëllazërore Zvicër – Kosovë

29 mars 2022 | 07:42

Kosova e nisi për mrekulli vitin 2022 duke shënuar fitore me rezultat të thellë ndaj Burkina Fasos (5-0). Sonte “dardanët” me tifozët e shumtë në krahë do të kenë një test tjetër ndaj Zvicrës ku luajnë tre futbollistë shqiptarë. Xherdan Shaqiri e ka vlerësuar emocionuese dhe historike përballjen Zvicër – Kosovë, kurse ka paralajmëruar se vendasit synojnë fitore ndaj “dardanëve”.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të dielën zhvilloi stërvitjen e fundit në Kosovë, ndërsa të hënën udhëtoi drejt Cyrihut. Atje është pritur nga një numër i madh i bashkatdhetarëve.

Sonte (e martë) Kosova e kërkon fitoren e dytë në vitin 2022 në krye me përzgjedhësin Alain Giresse. Ky i fundit e ka vlerësuar miqësoren ndaj Zvicrës të veçantë për tifozët e Kosovës, kurse ka paralajmëruar se “dardanët” do ta zhvillojnë një tjetër ndeshje të bukur.

“Do të jetë shumë e rëndësishme të ketë tifozë të Kosovës në Cyrih. Është e rrallë që një ekip mysafir të luajë në praninë e kaq shumë tifozëve të vet. Shpresoj që do t’u ofrojmë kënaqësi tifozëve dhe Kosova të luajë një ndeshje të bukur. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm të luajnë. Nuk kemi lëndime pas ndeshjes me Burkina Fason”, ka thënë Giresse.

Ndërsa mbrojtësi Betim Fazliji, i cili është rritur si futbollist në Zvicër, ka thënë se do të jetë një ndeshje e fortë, por edhe një festë futbolli. Pavarësisht prej kualitetit të lartë të zviceranëve, Fazliji paralajmëron se Kosova luan për fitore.

“Kundër Zvicrës na pret një ndeshje shumë e fortë. Do të ketë shumë shqiptarë në stadium dhe pa dyshim do të jetë një ndeshje shumë e veçantë. Kjo ndeshje do të jetë një festë futbolli. Ne do ta japim maksimumin dhe udhëtojmë për të fituar. Jemi disa lojtarë që jemi rritur në Zvicër dhe për mua është një ndeshje speciale. Dua të fitojmë për të treguar çfarë potenciali ka Kosova dhe çfarë ekipi jemi. Presim nga ‘dardanët’ të na mbështesin edhe kundër Zvicrës ashtu sikurse ndaj Burkina Fasos. Duam t’i gëzojmë me lojë të mirë”, ka thënë Fazliji.

Futbollistët “dardanë” e kanë zhvilluar edhe stërvitjen e fundit në Zvicër para ndeshjes që zhvillohet sot (e martë) nga ora 18:00.
Futbollisti shqiptar që mbron ngjyrat e Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka thënë se do të jetë ndeshje emocionale përballja me Kosovën.

“Unë përgatitem për këtë ndeshje normalisht. Kam pasur ndeshje të tjera që ishin shumë më të rëndësishme se kaq. E rëndësishme është që të tregojmë një paraqitje të mirë dhe të reagojmë pas disfatës ndaj Anglisë. Sigurisht se do të jetë pak emocionale, por në përgjithësi ndihem mirë dhe kështu do të përpiqem të jem edhe në fushë”, ka thënë Shaqiri.

I pyetur konkretisht për menaxhimin e emocioneve për arsye të përballjes me vendin e tij të lindjes, Shaqiri u shpreh se ato nuk mund t’i mënjanojë aq lehtë kur ka përballë Kosovën. “Siç thashë, sigurisht se do të jetë pak më emocionuese, por është një lojë miqësore dhe Kosova ka shumë lojtarë që janë rritur në Zvicër. Jam i sigurt se do të jetë një lojë historike që ne duam ta fitojmë padyshim”, ka shtuar Shaqiri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr i madh kishte shpërthyer në orët e mbrëmjes…