Sonte ndeshja Kosova – Mali i Zi

14 tetor 2019 | 11:37

Trajneri Bernard Challandes dhe futbollisti Milot Rashica kanë shprehur optimizëm një ditë para ndeshjes me Malin e Zi, e cila zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Ata kanë paralajmëruar se kërkojnë tri pikë të reja për ta vazhduar rrugëtimin drejt kualifikimit historik në Kampionatin Evropian.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e hënë) nga ora 20:45 përballet me Malin e Zi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Trajneri Bernard Challandes ka thënë se tash për tash nuk po mendon për Ligën e Kombeve apo humbjen e Anglisë nga Çekia, por vetëm për ndeshjen që “Dardanët” e zhvillojnë ndaj malazezëve.  Strategu zviceran kërkon fitore në këtë përballje në mënyrë që Kosova ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në “Euro 2020”. “Tani për tani nuk po mendoj për Ligën e Kombeve, pasi kemi një ndeshje nesër kundër Malit të Zi. Për mua s’ka ndryshuar asgjë përkundër fitores së Çekisë. Është më vështirë, por nuk mendoj për ndeshjet e radhës. Nëse Anglia do të kishte fituar në Çeki edhe barazimi do të na kishte hyrë në punë. Por, sido që të jetë, ne shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe duhet të fitojmë atë të radhës kundër Malit të Zi. Në fund të kualifikimit, nëse nuk është siç kemi menduar, atëherë kemi opsionin tjetër”, ka thënë Challandesi.

Për ndeshjen ndaj malazezëve foli edhe anësori Milot Rashica i cili mungoi në ndeshjet e kaluara si pësojë e një lëndimi. Ylli i skuadrës gjermane Werder Bremen ka thënë se hyjnë në secilën ndeshje për fitore. “Besoj se deri tash kemi bërë rrugëtim shumë të mirë dhe të gjithë lojtarët kanë marrë përvojë të mirë. Ne hyjmë në çdo ndeshje për fitore. Shpresojmë të fitojmë qysh nesër e më pas të koncentrohemi për ndeshjen e radhës. Ne kemi besuar nga fillimi, prej kur kemi parë grupin, pas çdo ndeshje kemi pasur besim për ndeshjen e radhës. Gjithçka është e mundshme”, ka thënë Rashica.

Ndërsa për Malin e Zi është paraqitur sulmuesi me prejardhje nga Peja, Fatos Beqiraj. Ky i  fundit bëri me dije se malazezët, edhe pse nuk kanë pasur rezultate të mira në kualifikuese, do të mundohen që nga kjo ndeshje t’u rikthehen fitoreve. Beqiraj e ka lavdëruar Kosovën, duke thënë se ka lojtarë shumë të mirë dhe ata janë me plot optimizëm për të arritur suksese. “Shpresoj se kjo të ndryshojë duke filluar nga Kosova, së paku të luajmë më mirë se ndaj Bullgarisë. Kosova ka një skuadër të re, me shumë lojtarë të mirë, të cilët luajnë në klube të mira. Ekipi i tyre ma përkujton skuadrën tonë para shtatë-tetë vjetësh, kur stadiumi ishte plot, përplot optimizëm dhe dëshirë për t’u treguar. Nuk them se tash na mungon dëshira, ne luftojmë dhe duam fitore, por po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë. Shpresoj që së shpejti, duke nisur që nga ndeshja ndaj Kosovës, të tregojmë imazh tjetër”, ka thënë Beqiraj.

Kosova renditet në pozitën e tretë në Grupin A me 8 pikë, kurse Mali i Zi është në pozitën e katërt me vetëm 3 pikë.

GRUPI A

20:45 Bullgari – Angli
20:45 Kosova – Mali i Zi

Tabela  

  1. Anglia      5 12 pikë
  2. Çekia       6 12
  3. Kosova    5 8
  4. Mali i Zi  6 3
  5. Bullgaria 6 3

/Veton ZYMBERI/ 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e martë) fillon procesi i deratizimit vjeshtor (eliminimit të…