Sonte ndeshja Vushtrria – Rahoveci, nesër dy të tjera

07 shkurt 2025 | 12:23

Me ndeshjen Vushtrria – Rahoveci fillon xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Kjo ndeshje zhvillohet sonte nga ora 19:30 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.

Rahoveci ka fituar 15 ndeshjet e deritashme dhe udhëton për dy pikë të reja. Por vendasit do të bëjnë përpjekje maksimale për të shkaktuar befasi.

Rahoveci udhëheqë në tabelë me 30 pikë, derisa Vushtrria renditet e gjashta me 8 pikë. Tri ndeshje tjera të xhiros së 16-të janë të shtunën.

Nga ora 17:00 është takimi Trepça – Vjosa. Edhe kjo ndeshje zhvillohet në Samadrexhë, pasi palestra në Mitrovicë, ashtu si ajo në Vushtrri, shërben për procesin zgjedhor. Trepça në xhiron e kaluar mposhti Vushtrrinë dhe synon dy pikë të tjera. Ndërkohë Vjosa shpreson për pikë që do t’i shërbenin për stabilizim në mesin e tabelës.

Trepça është e fundit me 2 pikë, kurse Vjosa e shtata me tetë. Rivalitet të madh shpresohet të ketë në ndeshjen Prishtina – Besa Famgas, që zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Besa është e dyta me 22 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 17 pikë.

Ndeshja mes Kastriotit dhe Llapit e mbyll xhiron. Zhvillohet të shtunën nga ora 20:00 në palestrën në Shtime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga takimi…