Sonte në “Bill Clinton” finalja e parë e hendbollisteve
Gara për titull të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave është në fazën finale.
Të enjten mbrëma, Ferizaj dhe Istogu nisin serinë e ndeshjeve finale të plejofit. Finalja e parë është nga ora 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Ndeshja e dytë është në fundjavë në Banjë, ndërsa ndeshja e tretë eventuale luhet sërish në Ferizaj. Kampion shpallet ekipi me dy fitore.
Ferizaj e Istogu janë takuar edhe në finale të Kupës. Ferizaj kishte triumfuar. Tani është gara kryesore, ajo për titull të kampionit. Skuadrat pritet të shfaqin më të mirën e mundshme, ndërsa spektakli i hendbollit nuk do të mungojë.
Të dy skuadrat kanë në përbërje lojtare cilësore dhe me përvojë. Të dy skuadrat po ashtu kanë pasur kohën e duhur për ta përgatitur serinë e ndeshjeve finale.
Ferizaj në gjysmëfinale e eliminoi Prishtinën, ndërsa Istogu e kaloi Samadrexhën.