Sonte përballen Kosova dhe Danimarka
Basketbollistët e Kosovës të mërkurën e kanë zhvilluar stërvitjen e parë në Danimarkë, derisa më herët janë stërvitur intensivisht në Prishtinë, për të qenë sa më të gatshëm për këtë sfidë shumë të rëndësishme.
Në stërvitje basketbollistët kanë dhënë maksimumin, ndërsa i vetmi i cili nuk ka stërvitur ishte Meriton Ismaili për shkak të lëndimit, por pritet të jetë i gatshëm për ndeshje. Përballja ndaj danezëve do të zhvillohet të enjten në Naestved me fillim nga ora 19:00.
Kjo sfidë është e vlefshme për rrethin e parë parakualifikues të FIBA Eurobasket 2025. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në mes këtyre dy kombëtareve, fitore kishte shënuar Kosova 78:73. “Dardanët” më pas pësuan dy humbje nga Norvegjia, që ka dy fitore e një humbje, kurse Danimarka ka një fitore e një humbje. Ndeshja e fundit e Grupit C zhvillohet më 3 korrik mes Norvegjisë dhe Danimarkës.