Sonte përballen Tottenham – Leipzig dhe Atalanta – Valencia
Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte (e mërkurë) me dy ndeshjet e radhës, të cilat pritet të jenë interesante.
Nënkampionia e Evropës, Tottenham Hotspur, e pret skuadrën e Bundesligës, RB Leipzig. “Spurs” përfundoi në pozitën e dytë në Grupin B pas Bayern Munchenit. Leipzig kryesoi Grupin G për të arritur në këtë fazë për herë të parë. Paraqitjet e djelmoshave që drejtohen nga Jose Mourinho nuk kanë qenë aq bindëse, por Tottenhami ka arritur tri fitore dhe në shtatë ndeshje është pa humbje në të gjitha garat. Portugezi Mourinho është sjellë në klub për t’i rikthyer rezultatet pozitive, ani pse ngadalë Mourinho po arrin të bëjë një gjë të tillë.
Diferenca në mes të skuadrave kryesuese, përjashto Liverpoolin, është e vogël. Në anën tjetër, në formë të mirë është edhe Leipzigu që po e mban Bayernin në presion për titull në Gjermani. Vendësit në këtë ndeshje do të jenë pa Harry Kane, Heung-Min Son dhe Moussa Sissoko, por të gatshëm janë Juan Foyth dhe Erik Lamela. Kthimi i Ben Davies pas tre muajsh është një tjetër lajm pozitiv për Mourinhon. Te mysafirët mungojnë Willi Orban dhe Ibrahima Konate për shkak të lëndimit, kurse Dayot Upamecano nuk ka të drejtë loje për shkak të kartonëve. Tyler Adams dhe Kevin Kampl janë dy mungesat e tjera të konfirmuara të Leipzigut. Në ndeshjen tjetër të 16 klubeve më të mira në garën më të fortë në futboll do të takohen në Itali, Atalanta dhe Valencia. Atalanta aktualisht është në pozitën e katërt në Serinë A, kurse Valencia e gjen veten në vendin e shtatë në La Liga.
Valencia në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësit me përvojë Gabriel Paulista dhe Ezequiel Garay që mungojnë për shkak të lëndimit dhe pezullimit, derisa në dyshim janë edhe mesfushorët Francis Coquelin dhe Rodrigo Moreno. Në anën tjetër Atalanta e Berat Gjimshit nuk ka probleme me lëndime apo suspendime.
Të mërkurën takohen:
21:00 Atalanta – Valencia
21:00 Tottenham H. – Leipzig
/Epoka e re/