Sonte përballja Holandë – Angli
Portugalia, që mundi Zvicrën 3-1 me trigolësh të Cristiano Ronaldos, do të mësojë mbrëmjen e kësaj të enjte skuadrën me të cilën do të diskutojë trofeun e edicionit të parë të “Nations League”, që do të dalë nga sfida mes Holandës dhe Anglisë.
Skuadra e “Tulipanëve”, që drejtohet tashmë nga Ronald Koeman, është ringjallur pas dështimeve për t’u kualifikuar në “Euro 2016” dhe Botërorin e 2018-s, e këtë e tregoi edhe në ndeshjet e Ligës A të “Nations League”, teksa la pas Gjermaninë dhe Francën kampione të botës, për t’u kualifikuar në fazën “Final Four” të kompeticionit.
Trajneri Koeman deklaroi se sfida me Anglinë do të jetë fantastike, mes dy skuadrave që po përmirësohen me ritme të shpejta. Sipas tij, të dyja skuadrat kanë mundësi të barabarta për të kaluar në finale. Anglia, që në Botërorin e 2018-s arriti deri në gjysmëfinale, la pas në fazën e parë të “Nations League” Spanjën dhe nënkampionët e Kroacisë, duke fituar të drejtën për të qenë në këtë gjysmëfinale, raporton “tch”.
“Tre Luanët” janë në kërkim të një trofeu të rëndësishëm, që iu mungon që nga viti 1966, e ky kompeticion është një mundësi e shkëlqyer. Trajneri Gareth Southgate theksoi se, ajo që duhet të bëjë skuadra e tij është të kthehet në një ekip në gjendje të fitojë gjysmëfinalet. Kjo e sotmja do të jetë ndeshja e 22-të mes Holandës dhe Anglisë. Bilanci i 21 sfidave të mëparshme flet për një ekuilibër total mes ekipeve, që kanë nga 6 fitore secila, ndërsa 9 ndeshje janë mbyllur në barazim.