Sonte sfida e dytë finale
Të enjten do të zhvillohet finalja e dytë e “play-off”-it në mes të Trepçës dhe Golden Eagle Yllit. Ndeshja zhvillohet nga ora 20:30 në Mitrovicë.
Përballjen e parë e fituan therandasit me rezultat 63:62, me trepikëshin në fund nga Henrik Sirko, ndërsa skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione e Kosovës. Këto dy skuadra kishin përfunduar garat e rregullta në pozitën e parë, përkatësisht të dytë.
Në garat e rregullta u përballën katër herë, duke shënuar nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës, që tregon për rivalitetin e madh që kanë pasur në këtë edicion.
Ylli synon mbrojtjen e titullit, që do të ishte titulli i dytë i Kosovës në histori të klubit, kurse mitrovicasit shpresojnë ta fitojnë titullin pas një dekade. Golden Eagle në gjysmëfinale të “play-off”-it kishte mundur Sigal Prishtinën 3-0, kurse “xehetarët” eliminuan Pejën me seri prej 3:1.