Sonte takohen Liverpool – Porto dhe Tottenham – City
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka analizuar ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve ndaj Portos, e cila zhvillohet sonte (e martë) nga ora 21:00 në “Anfield”.
Trajneri gjerman ka thënë se skuadra që ai e drejton është rritur shumë për shkak të përvojës në kompeticione si Liga e Kampionëve dhe shtoi se Porto është një kundërshtare e vështirë, me të njëjtën përvojë, pavarësisht se sezonin e kaluar e mundën 5-0 në Portugali. “Porto është një ekip me shumë përvojë. Ka Iker Casillas në portë dhe gjithmonë është në krye të kampionatit portugez duke konkurruar me Benfican. Në këtë moment jemi zjarr, mund ta shikoni në stërvitje. Ne duam të shkruajmë disa rreshta më shumë në librin e këtij sezoni”, ka thënë Klopp.
Për këtë ndeshje foli edhe mbrojtësi i Portos, Pepe. Diferenca financiare mes dy klubeve duket se nuk e tremb ish-lojtarin e Real Madridit, i cili beson te kualifikimi në gjysmëfinale dhe se skuadra e tij mund ta fitojë kompeticionin evropian më të rëndësishëm për klube. “E kam fituar Ligën e Kampionëve tri herë dhe në këtë sezon do të bëhen katër. E dimë se na pret një detyrë e vështirë kundër një skuadre të fortë, por ne duhet ta bëjmë lojën tonë dhe të luftojmë për një rezultat pozitiv”, ka deklaruar Pepe. Sonte zhvillohet edhe çerekfinalja tjetër në mes dy skuadrave angleze Tottenham Hotspur dhe Manchester City.
Të martën takohen:
21:00 Liverpool – Porto
21:00 Tottenham H. – Manchester City