Sonte vendoset finalisti i dytë në Ligën e Kampionëve
Bayern Munich takohet me Lyonin sonte në gjysmëfinalen e dytë gjermano-franceze në Ligën e Kampionëve në Lisbonë.
Pasi e shkatërroi dhe turpëroi Barcelonën në çerekfinale të premten, Bayerni është favorit për ta fituar titullin e gjashtë evropian dhe ta përsërisë suksesin e vitit 2013, kur e fitoi tripletën.
Ekipi bavarez i ka shënuar 39 gola duke e shkelur çdo ekip që i ka dalë përpara këtë sezonin në Evropë.
Ndërkohë, Lyoni është befasia e këtij edicioni në garën më prestigjioze evropiane për klube, pasi i ka rrëzuar disa prej favoritëve në rrugë drejt gjysmëfinales.
Në fazën e eliminimit direkt, skuadra e Rudi Garcias e mundi Juventusin e Cristiano Ronaldos në 1/8 e finales, para se ta trondiste Manchester Cityn e Pep Guardiolës në çerekfinale.
Fituesi i këtij takimi, që luhet sonte në orën 21:00 në Lisbon, do të përballet me PSG-në.