Sonte vendoset “mbreti” në Ligën e Evropës
Skuadra që do të shpallet fituese e Ligës së Evropës do të vendoset sonte (e mërkurë), kur do të përballen dy skuadrat më të mira të këtij edicioni në Evropa Ligë, Marseille dhe Atletico Madrid.
Në fundjavë skuadra e Marseillet u ndal në barazim nga Guingamp (3-3) në kuadër të kampionatit francez dhe konfirmoi edhe një herë se ka probleme në repartin e mbrojtjes duke pranuar shumë gola. Ndërsa Atletico arriti fitore ndaj Getafës (0-1) dhe vendimtar në këtë fitore ishte portieri Jan Oblak, i cili ndali një penallti. Skuadra spanjolle edhe në këtë ndeshje sikurse në të tjerat dëshmoi se është në gjendje të shënojë fitore me rezultat të ngushtë, duke mos pranuar shumë gola. Marseille pasi kaloi fazën e grupeve i ka eliminuar Bragën, Athletic Bilbaon, Rasen Ballsport Leipzigun dhe Salzburgun e Valon Berishës, ndërsa Atletico, për të arritur deri në finale, eliminoi këto skuadra: Koebenhavn, Lokomotiv Moscow, Sporting dhe favoritin e madh Arsenal.
Mungesa të futbollistëve tek asnjëra skuadër nuk do të ketë, kurse skuadrës spanjolle do t’i mungojë trajneri Diego Simeone, i cili është suspenduar.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)