Sonte zhvillohet finalja e parë për titullin kampion në futsal
Sot (e enjte) do të zhvillohet ndeshja e parë finale e “play-off”-it në Superligën e Kosovës në futsall, në mes të Prishtina 01 dhe Liqenit.
Klubi kryeqytetas është nikoqir i drenicasve në takimin e parë final që do të zhvillohet për titullin kampion për sezonin 2022/23.
Kjo përballje mes fituesit të sivjetmë të Kupës së Kosovës, Prishtina 01 dhe kampionit aktual, Liqeni, do të zhvillohet në palestrën e “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë me fillim nga ora 20:00.
Të dy klubet më të mira të këtij edicioni janë gati për këtë super ndeshje dhe kanë premtuar angazhim maksimal, lojë fer dhe lojë të mirë për të kënaqur publikun i cili pritet të jetë në numër të madh sot në Prishtinë.
Ndeshja e dytë zhvillohet pas katër ditësh (6 qershor) në Drenas, ndërsa nëse fituesi nuk zgjidhet në dy ndeshjet e para, atëherë finalja e madhe do të zhvillohet 11 qershor në Prishtinë.