Sonte Zvicër – Spanjë dhe Belgjikë – Itali

02 korrik 2021 | 08:15

Çerekfinalet e Evropianit fillojnë sonte (e premte) me dy ndeshje të “zjarrta”. Zvicra, pas befasisë që e shkaktoi në përballje me Francën, tash synon ta bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj Spanjës nga ora 18:00, derisa finalja e parakohshme Belgjikë – Itali zhvillohet nga ora 21:00.  

Zvicra e motivuar pasi eliminoi Francën nga Kampionati Evropian “Euro 2020” do të provojë ta eliminojë edhe Spanjën dhe të kualifikohet në mesin e katër kombëtareve me të mira.

Zvicra e tre shqiptarëve, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Admir Mehmedi, përballet sonte (e premte) me Spanjën në Saint Petersburg nga ora 18:00. Zviceranët e eliminuan Francën pas ekzekutimit të penalltive (5-4) derisa Spanja në çerekfinale u kualifikua pas e mposhti Kroacinë në kohën shtesë (5-3). Lajm i keq për Zvicrën është mungesa e kapitenit Granit Xhaka i cili nuk mund të paraqitet në këtë ndeshje për shkak të kartonëve.

Trajneri Vladimir Petkoviq ka kërkuar nga futbollistët zviceranë që të jenë gati për ndeshjen ndaj Spanjës, njëjtë sikurse që ishin kundër Francës. “Ndeshja ndaj Francës ishte shumë emocionale për ne. Lojtarët dhanë 120 % nga vetja. Ishte, ndoshta, ndeshja më e mirë e skuadrës time ndonjëherë. Neve do të na duhet një paraqitje e njëjtë ndaj Spanjës në çerekfinale”, ka thënë Petkoviq. Nga ora 21:00 do të zhvillohet edhe ndeshja e dytë çerekfinale në mes të Belgjikës dhe Italisë dhe kjo vlerësohet si një finale e parakohshme në “Euro 2020”. Belgët janë në krye të renditjes botërore dhe ende nuk kanë pësuar humbje këtë vit, derisa italianët janë në formë të jashtëzakonshme dhe pa humbje në 31 ndeshje. Belgjika mund të luajë në këtë ndeshje pa dy lojtarët shumë të rëndësishëm Kevin De Bruyne dhe kapitenin Eden Hazard, të cilët në ndeshjen ndaj Portugalisë është dashur të zëvendësohen.

Trajneri Roberto Martinez konfirmoi se asnjëri nuk ka pësuar lëndim serioz, por të dy këta futbollistë nuk janë plotësisht të aftë për ndeshjen çerekfinale të së premtes. Në anën tjetër, Italia pritet të jetë e kompletuar, pasi janë rikthyer kapiteni Giorgio Chiellini dhe Alessandro Florenzi.

Formacionet e mundshme:

Zvicra: Sommer; Elvedi, Akanji, Rodriguez; Widmer, Freuler, Zakaria, Zuber; Shaqiri; Embolo, Seferoviq.

Spanja: Simon; Azpilicueta, Garcia, Laporte, Alba; Koke, Busquets, Pedri; Sarabia, Morata, F.Torres.

Belgjika: Courtois; Alderweireld, Vermaelen, Vertonghen; T. Hazard, Witsel, Tielemans, Meunier; Mertens, Lukaku, Carrasco.

Italia: Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Chiellini, Spinazzola; Barella, Jorginho, Verratti; Chiesa, Immobile, Insigne.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i…