Sopi thotë se s’ka pasur përçarje politike në mes UÇK-së dhe LDK-së

28 tetor 2024 | 15:45

Dëshmitari Fatmir Sopi, ish-epror i UÇK-së në Llap, në dëshminë e tij në procesin gjyqësore ndaj liderëve të luftës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka thënë se në zonën ku ka vepruar ai, nuk ka pasur përçarje politike përpos misionit për luftën çlirimtare.

Këtë deklarim, Sopi e ka bërë kur është pyetur nga avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra se a ka pas ndonjë politikë UÇK-ja që ata që ishin në LDK të konsideroheshin kolaboracionistë.

“Në zonën ku kam vepruar unë, nuk ka pas asnjë përçarje politike dhe nuk ka pas asnjë politikë përpos luftës çlirimtare dhe nuk ka pas asnjë mosmarrëveshje politike në mes të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë e kanë pas për parti dhe për politikë luftën e drejtë çlirimtare dhe çlirimin e vendin tonë”, ka thënë dëshmitari.

Sopi ka thënë se është e vërtetë që një pjesë e madhe e anëtarëve të UÇK-së ishin anëtarë të LDK-së në zonën ku ai vepronte.

Pyetje shtesë ka pasur sërish prokurori e po ashtu edhe trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Në pyetjet e gjyqtarit, dëshmitari ka thënë se ende është kryetar Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë.

Më tutje, Sopi ka thënë se UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, nuk ka mundur të ketë rregull dhe disiplinë

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri vullnetare, burimin e kishte në popull. Ishte si rezultat i vuajtjeve shekullore të popullit tonë nën robëri dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është projekti më i madh i shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e cila me luftën e saj të drejtë dhe çlirimtare fitoi përkrahjen e  gjithë botës demokratike, popullit tonë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet e Bashkimit Evropian. Me luftën e saj të drejtë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës beri të mundur çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Sopi, duke shtuar se për shkak të rrethanave UÇK-ja nuk mundur që të ketë rregulla siç i kanë ushtritë moderne.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka mundur që të ketë rregull dhe disiplinë siç kanë sot ushtritë e NATO-s sepse ajo është bazuar në gjendjen e saj që është vullnetare dhe ushtarët që iu kanë bashkëngjitur asaj janë plotësisht në vullnetin e tyre dhe pa asnjë person nga askush”, ka thënë Sopi.

Gjatë dëshmisë se tij, Sopi e ka quajtur hero të gjallë Hashim Thaçin. Ai këtë deklarim e ka barë kur i është kërkuar nga prokuroria që t’i identifikojë personat që shiheshin në një fotografi. “Të nderuarin presidentin tonë, heroin e gjallë, Hashim Thaçin dhe krah tij shoh komandantin tonë të respektuar, Rrustem Mustafën”, ka thënë Sopi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh.  SHALA- BAJGORA Për të mos besuar:  Mimoza Kusari u bë…