
Sorenseni pritet në takim nga Barduani, diskutojnë për situatën e sigurisë në mbarë rajonin
Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur të enjten në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Vizita në Kosovë ishte e dyta në mandatin e Sorensenit, i cili nuk e ka humbur rastin të shkëmbejë mendime me komandantin e KFOR-it për zhvillimet në situatën e sigurisë në mbarë rajonin.
Barduani, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të KFOR-it, ka nënvizuar përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm.
Po ashtu, Barduani ka theksuar përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.