Sot 21 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari
Kanë kaluar plotë 21 vjet që nga sulmi i dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari.
“21 vite më parë Familja Jashari u sulmua për herë të dytë brenda pak muajsh, nga forca të shumta policore serbe, të pozicionuara në ish-Fabrikën e Municionit, pak metra larg shtëpive të familjes”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Postimi i plotë i tij:
21 vite më parë Familja Jashari u sulmua për herë të dytë brenda pak muajsh, nga forca të shumta policore serbe, të pozicionuara në ish-Fabrikën e Municionit, pak metra larg shtëpive të familjes.
Edhe përkundër një aksioni policor që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 22 janarit të vitit 1998, në një sulm tinëzar, ku mbeten të plagosura vajza e Rifatit Iliriana dhe Hamzës, Selvetja, meshkujt e familjes por edhe anëtarët tjerë, iu kishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë krismave të armikut.
Pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz.
Dhe, më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti, historia do të ndryshojë përgjithmonë.
Pjesa tjetër e historisë është lavdia e popullit shqiptar.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Familjen Jashari, heronjtë dhe martirët e Kosovës!