Sot 22 vjet nga rënia e dëshmorëve Demush Mavraj, Hamdi Çetaj dhe Luan Krasniqi

07 maj 2021 | 11:30

Sot bëhen 22 vjet nga rënia e dëshmorëve Demush Mavraj, Hamdi Çetaj dhe Luan Krasniqi.

Në betejën e 7 majit 1999, në fshatin Kashicë të Istogut, tash Burimit, bien dëshmorë Demush Mavraj, Hamdi Çetaj dhe Luan Krasniqi.

Të tre ranë dëshmorë duke luftuar ballë për ballë me forcat policore, ushtarake serbe, vetëm e vetëm për të mbrojtur popullatën civile.

Në luftën çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, secila trevë dhe secili fshat i Kosovës u shqua me luftëtarët e vet të veçantë e të devotshëm.

Me të tillë luftëtarë të lirisë, u shqua edhe fshati Saradran i komunës së Burimit (ish-Istog). Njëri prej tyre ishte dëshmori Demush Mavraj.

Dëshmori Demush Mavraj ka lindur më 15 janar të vitit 1949, në Saradran. Prindërit e tij, Kamberi e Fana, me mjaft peripeti rritën edhe tre fëmijët e tjerë: Xhaferin, Gjylsymen e Zejnepen.

Shkollën fillore, Demushi, pjesërisht e kryen në fshatin e lindjes dhe në Terstenik, ku funksiononte shkolla e plotë fillore. Pastaj regjistron gjimnazin, të cilin për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, e vijon po ashtu pjesërisht në Pejë e në Klinë. Meqenëse merrej me aktivitete të ndryshme sportive, por edhe për shkak të prirjes së theksuar që kishte për shumë degë të sportit, pasionohet në sport dhe i lind dëshira ta studiojë edukatën fizike, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Pas përfundimit të studimeve ushtron profesionin e mësimdhënësit në shkollat fillore të fshatrave të afërme Zallq e Terstenik. Një kohë të caktuar punoi si mësimdhënës i edukatës fizike në Shkollën e Mesme Ekonomike të Pejës, ndërsa më vonë vazhdoi të punojë në shkollën e fshatit të lindjes, e cila mbante emrin e plakut të Vlorës e të Pavarësisë shqiptare, Ismail Qemaili. Gjatë punës si mësimdhënës dhe edukator i brezit të ri, Demushi dëshmon përkushtim të lartë ndaj profesionit. Ai organizon aktivitete të shumta sportive për nxënësit e tij, të cilët në garat komunale e rajonale arrijnë të dallohen e të fitojnë mirënjohje. Për të nderuar këtë aktivitet dhe angazhim, në përvjetorin e rënies së tij, çdo 7 maj, në komunën e Burimit (ish-Istog) organizohet turnir përkujtimor. Po ashtu, emrin e këtij dëshmori, sot e mban edhe stadiumi fudbollistik i kësaj qyteze.

Duke qenë mjaft i parapërgatitur për ngjarje më të mëdha kombëtare, Demush Mavaraj ishte i gatshëm t’i përgjigjej kushtrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të merrte përsipër përgjegjësinë që i përkiste për organizimin dhe shtrirjen e luftës çlirimtare në fshatin e tij dhe në fshatrat e tjera të Lugut të Drinit.

Këtë përgjegjësi e kishte marrë duke qenë në kontakt edhe me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç ishte Adem Grabovci, por edhe me eprorë të Zonës Operative të Dukagjinit, përkatësisht të Shtabit lokal të Lugut të Drinit, me qendër në Ruhot, i cili udhëhiqej nga Qerim Berisha. Në kuadër të angazhimit të tij, Demushi me shokë kishte bërë tri tentime për të shkuar në Shqipëri për armatim.

Me formimin e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në fillim të muajit janar të vitit 1999, Demushi ngarkohet me detyrën e komandantit të togut, i cili vepronte në fshatin Saradran e në rrethin.

Më 7 maj 1999, Demushi me bashkëluftëtarë mobilizohet për ta mbrojtur popullsinë civile e për të mos lejuar rënien e sajnë duart e kriminelëve serbë. Popullata e rrethuar, që nga fshati Zabllaç e deri në fshatin Kashicë, tashmë fillon të tundet, në përpjekje për të shpërthyer rrethimin. Një pjesë e saj fillon të zhvendoset në drejtim të Klinës për të marrë rrugën për në Shqipëri. Në orët e paraditës, Demushi me shokët, Hamdi Çetaj, Luan Krasniqi e të tjerë, angazhohet për sigurinë e popullatës civile në lëvizje e sipër, duke vëzhguar terrenin nëpër të cilin duhej të kalonte ajo. Mirëpo, rreth orës 10:00, në lagjen Nurçaj të fshatit Kashicë, nga një pritë e afërt, forcat serbe zbrazin rafale plumbash kundër këtij grupi luftëtarësh çlirimtarë. Në këtë shkëmbim zjarri, bien në altarin e atdheut Demush Mavraj, Luan Krasniqi dhe Hamdi Çetaj.

Dëshmori Hamdi Çetaj i takon familjes së njohur Çetaj të Trubuhocit e cila pos luftëtarëve që dha qysh në vitin 1939 në mbrojtje të trojeve shqiptare në Jeni Pazar, Rozhajë e Beranë, edhe në luftën e fundit Kosovës ia dha edhe tre dëshmorë.

Hamdi Çetaj në radhët e UÇK-së hyri më 10 maj 1998, në Shtabin e Gllogjanit. Detyra që kreu në shtab ishte ajo e eprorit, që merrej me përcjelljen e ushtarëve nga Trubuhoci dhe rrethina e tij në Gllogjan në Zonën Operative të Dukagjinit.

Hamdiu ishte i sistemuar në Birgadën 133 “Adrian Krasniqi” si komandant i Kompanisë II.

Hamdi Çetaj ishte luftëtar i dalluar, mori pjesë dhe dha kontribut të çmuar në betejat e zhvilluara në Gllogjan, Orroberdë, Vrellë, Kashicë, etj.

Ndërkaq dëshmori Luan Krasniqi lindi më 21 gusht 1975 në fshatin Tërstenik, komuna e Pejës.

Edhe ky dëshmor rrjedh nga një familje bujare. Regjimi e mbante në shënjestër dhe shpesh e bastisi.
Luan Krasniqi u rendit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në maj të vitit 1998, ku u sistemua si ushtar në Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”. Është marrë me organizimin e fshatarëve të Tërstenikut për të shkuar në Shqipëri për furnizim me armë. Këtu suksesi nuk ka munguar, pasi që iu bashkëngjitën shumë të rinj nga fshati dhe solli armatim, e furnizoi fshatin me armë.

Në fillim këtë luftëtar e gjejmë si pjesëmarrës në luftën e njohur të fshatit Loxhë ku lufton ballë për ballë armikut serbosllav. Edhe në fshatin Vrellë të Istogut luftoi Luan Krasniqi, madje ishte ndër të parët në mbrojtje të këtij fshati. Ndërsa data e 7 majit 1999 është dita e fundit e jetës dhe e luftimeve të tij meqë u vra në pritë në Kashicë së bashku me Hamdi Çetaj dhe Demush Mavraj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, ka takuar mbrojtësit e…