Sot, afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë
Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Klan Kosova” e ka kontaktuar zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezin, i cili ka bërë me dije se deri më tani vetëm dy subjekte politike e kanë dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar dhe listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Dy subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar dhe listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”.
“Bëhet fjalë për Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK) e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë dhe Jedinstvena Goranska Partia (JGP) ka dorëzuar listën me emrat e 13 kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë se disa nga partitë e mëdha kanë paralajmëruar që sot gjatë ditës do t’i bëjnë publike listat me emrat e kandidatëve.