Sot bëhen 12 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova
Ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Në përvjetorin e 12-të të vdekjes së tij do të bëhen homazhe tek varri i tij në Velani dhe tek familja Rugova, ndërkaq në ora 12”00 në Hotelin “Emerald” do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ora 09:00, do të bëjë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në shënim të përvjetorit të vdekjes së tij. Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.