Sot betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

19 maj 2023 | 07:19

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të bëjë betimin më 19 maj në ndërtesën e kësaj komune. Me dhënien e betimit do të fillojë zyrtarisht mandati i tij.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Por, të premten nuk do të bëjnë betimin edhe tre kryetarët e tjetër të rinj të komunave në veri.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Në Komunën e Leposaviqit, kryetari i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Por, këta tre kryetarë të rinj nuk dihet se kur dhe ku do ta bëjnë betimin, në mënyrë që edhe zyrtarisht të marrin detyrën.

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, ku ekziston një ndërtesë komunale që punon sipas sistemit të Kosovës, në komunat e tjera në veri, deri më tani, autoritetet lokale të Kosovës ishin të vendosura në ndërtesat e të ashtuquajturave organe të përkohshme që punojnë sipas sistemit serb. Po ashtu, në disa komuna, deri më tani krerët e komunave kanë qenë të njëjtë si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë serb.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi futbollistik "Dinamo" nga Ferizaj i cili ndonëse i themeluar…