Sot dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosova – Mali i Zi
Biletat për ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 në Prishtinë, mes Kosovës dhe Malit të Zi, pritet të dalin në shitje sot pasdite. Bileta më e lirë do të kushtojë 5 euro, ndërsa më e shtrenjta 80.
Kosova do t’i vazhdojë përpjekjet për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian në tentimin e saj të parë, pasi më 14 shtator do të jetë nikoqire e Malit të Zi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton “Gazeta Express”.
Por, para përballjes me Malin e Zi, Kombëtarja dardane do ta luajë një ndeshje miqësore, po ashtu në kryeqytet, kundër Gjibraltarit këtë të enjte pasdite.
Pas pesë xhirove, Kosova gjendet në vendin e tretë, por me shanse shumë të mira për ta arritur kualifikimin, sepse ngel vetëm një pikë prapa Republikës së Çekisë, e cila pozicionohet në vendin e dytë, i cili dërgon direkt në Euro 2020. Anglia, ndërkohë, është lidere e Grupit A me gjasa shumë të mëdha për ta fituar atë.
Biletat për ndeshjen e së hënës së ardhshme pritet të dalin në shitje sot në orën 16:00 dhe ato do të kushtojnë nga 5 euro deri në 80 euro për copë.
Biletat mund të blihen nëpërmjet platformës online www.tiks.app
Çmimet e biletave janë si vijon:
Veri dhe Jug 5 euro
Lindje 10 dhe 15 euro
Perëndim 15 euro dhe 20 euro
VIP 80 euro