Sot dalin para gjykatës të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit

26 tetor 2022 | 08:57

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt sot pritet të paraqiten dy të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Duke filluar nga ora 10:00, në këtë gjykatë do të zhvillohet seanca e radhës ndaj të akuzuarve për dhunimin dhe vrasjen e 18 vjeçares.

“Mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, për vrasjen dhe dhunimin e 18-vjeçares nga Ferizaji Marigona Osmani. (Gjykata Themelore, Ferizaj, ora 10:00)”,thuhet në njoftim.

Ndryshe vrasja e Marigona Osmanit, ishte cilësuar si një nga vrasjet më të rënda të ndodhura në Kosovën e pasluftës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.

Me çka në bashkëkryerje, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Me çka, akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cilat janë përfitimet dhe rreziqet nga “pasaporta e artë”? Ky…