
Sot dalin para gjykatës të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
12 dhjetor 2021
| 14:31
Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit do të dalin sot para Gjykatës për t’iu caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, ka treguar për media se seanca do të mbahet në ora 16:00.
“Seanca dëgjimore do të mbahet sot në orën 16:00”, ka thënë Zhuti.
Në mbrëmjen e 26 nëntorit vendi është tronditur nga vrasja e tre personave në Gllogjan të Deçanit. Autobusi që po qarkullonte nga Gjakova për në Gllogjan u sulmua me kallashnikov me ç’rast u vra shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Pas 15 ditësh, organet e rendit kanë prangosur tre persona të dyshuar për këtë rast dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.