Sot derbi Drita – Gjilani

14 shtator 2022 | 11:05

Drita është përgatitur për ta fituar ndeshjen derbi ndaj rivalit lokal, Gjilanit. Trajneri Ardian Nuhiu ka thënë se kjo do të jetë një ndeshje speciale dhe se detyrë e skuadrës së tij është të tregojë karakter dhe t’i marrë tri pikë. Gjilani është në pozitën e parë në renditjen tabelore me 14 pikë, kurse Drita në vendin e dytë me 11 pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. 

Derbi më i madh në futbollin e Kosovës zhvillohet sot në mes të Dritës dhe Gjilanit. Këto dy skuadra e kryesojnë Superligën dhe interesimi për këtë ndeshje është i jashtëzakonshëm.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, në konferencë për medie një ditë para ndeshjes ka thënë se kjo do të jetë një ndeshje speciale dhe se detyrë e skuadrës së tij është të tregojë karakter. “Na pret një ndeshje speciale për ne dhe tifozët tanë, të cilën duhet ta luajmë me përqendrim dhe përgjegjësi. Skuadrën kundërshtare e njohim mirë, ka cilësi dhe ecuri të mirë. Më gëzon forma e mirë e skuadrës sonë. Përveç në aspektin ekipor dhe në atë individual, të gjithë futbollistët dalëngadalë po marrin formën e tyre optimale. Secili po e njeh bashkëlojtarin dhe po përformojmë jashtëzakonisht mirë. Na mbetet të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të shfrytëzojmë potencialin tonë të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje”, ka thënë Nuhiu. “Gjithmonë kjo ndeshje është motiv shtesë, pavarësisht se në ndeshjet e fundit derbi nuk i kemi fituar. Në ndeshje të tilla ato pak raste duhen shfrytëzuar, sepse përkundër mundësive të krijuara, ndonjëherë thjesht ka munguar finalizimi. Uroj ta kemi edhe fatin sportiv për t’i marrë tri pikë. I dua ndeshjet e forta, sepse futbollistët i kam të tillë, të cilët janë rritur në vështirësi dhe në sfida tregohet karakteri i futbollistit”, ka shtuar Nuhiu.

Ndërsa mbrojtësi Besnik Krasniqi ka theksuar se do të luftojnë që ta fitojnë këtë ndeshje për tifozët. “Është një ndeshje shumë e fortë mes dy ekipeve që po kalojnë formë të mirë. Jemi të përgatitur për këtë ndeshje edhe pse ishte kohë shumë e shkurtër. Ne e dimë rëndësinë e derbit dhe jemi të motivuar ta fitojmë këtë ndeshje jo vetëm për ne, por edhe për gjithë qytetin dhe tifozët e Dritës. Është një ndeshje që nuk bën të humbet. Na mbetet ta japim maksimumin e të luftojmë për veten dhe shikuesit të cilët e meritojnë fitoren”, ka thënë Krasniqi.

Sot zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Prishtinës dhe Malishevës. Dy ndeshje të tjera të kësaj xhiroje zhvillohen nesër (e enjte), ndërsa derbi Llapi – Ballkani është shtyrë.

SUPERLIGA – Java 7

Të mërkurën takohen:
15:00 Drita – Gjilani
15:00 Prishtina – Malisheva

Të enjten takohen:
15:00 Dukagjini – Drenica
15:00 Trepça ’89 – Ferizaj
15:00 Llapi – Ballkani (është shtyrë)

 

/Veton ZYMBERI/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 96-të ka miratuar Projektligjin…