Sot derbi Drita – Prishtina
Kampionati elitar në futbollin kosovar është futur në ndeshjet e fundit finale, derisa kanë mbetur edhe shtatë të tilla deri në fundin e edicionit 2020/21.
Ndërkohë dita e diele (sot) është e rezervuar për tri super ndeshje, vëmendja kryesore padyshim që pritet të jetë në Gjilan, aty ku do të përballen Drita dhe Prishtina.
Të dy skuadrat kërkojnë pikët maksimale, skuadra e Dritës në këtë duel piketon tre pikët për t’i ikur sa më larg rivalëve dhe të jenë me qetë në renditje tabelare, e në anën tjetër për kryeqytetasit kjo ndeshje është jetike, pasi në këtë duel i shpëton vetëm triumfi, çdo rezultat tjetër i lë pas për synimin e kreut të elitës.
Dy rivalët e mëdhenj të futbollit kosovar këtë edicion në kuadër të Superligës janë përballur tri herë, ku një fitore e ka Prishtina (2-0) dhe dy ndeshje tjera kanë përfunduar baras (0-0) dhe (1-1).
Por në garë për kreun e renditjes tabelare po lufton edhe Ballkani, skuadër kjo që ka lëshuar nga duart fronin, por tani kërkon rikthimin e saj për ta mbajtur deri në fund.
Suharekasit sot e presin Gjilanin, ndeshje kjo që pritet të sjellë një rivalitet të fortë ndërmjet tyre edhe pse skuadra gjilanase nuk ka ndonjë objektiv për këtë sezon.
Synimi i tyre do të jetë një rezultat sa me pozitiv, ndërsa suharekasit kërkojnë fitoren për t’u ngritur në fronin e elitës.
Ajo që vlen të cekët në këtë, është se në këtë ndeshje do të pritet një mikëpritje e nxehtë edhe për Ismet Munishin, i cili ishte pika kryesore ku Ballkani ka arritur deri në këtë nivel, por tani ai do të jetë kundërshtar i tyre.
Përveç luftës për kreun e tabelës këtë ditë pritet të sjellë edhe duelin e nxehtë për largimin nga zona e rrezikut, pasi në Podujevë pritet përballja e nxehtë ndërmjet Llapit dhe Trepçës ’89.
Edhe kjo përballje pritet të sjellë rivalitet, pasi në përballjen e këtyre dy skuadrave gjithmonë ka pasur një ‘zjarr’ të fortë në mes tyre.
Llapjanët priten të jenë më të motivuar, pas kalimit në finale të Kupës së Kosovës, kurse mitrovicasit kanë stabilitet jo të mirë në ndeshje e fundit dhe kërkojnë këndellje në Podujevë, transmeton olle.
Superliga – Java 30-të
E diele (25 prill) – 15:00
Drita – Prishtina
(Gjyqtarët: G. Shala, F. Berisha, B. Selimaj, M. Ajeti)
Ballkani – Gjilani
(Gjyqtarët: V. Kastrati, B. Morina, G. Hyseni, B. Jahmurataj)
Llapi – Trepça ’89
(Gjyqtarët: B. Kasumi, F. Jashari, H. Osmani, A. Halilaj)