Sot derbi Feronikeli – Ballkani, debuton trajneri Sopi

02 nëntor 2019 | 10:32

Kampioni në fuqi, Feronikeli dhe kryesuesi aktual i Superligës, Ballkani, sot (e shtunë) do ta ndajnë mejdanin për herë të dytë në këtë kampionat. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Suharekë fitues kishte dalë Ballkani (3-1), kurse sot “Nikli” me trajnerin e ri synon t’ia kthejë borxhin skuadrës kryesuese.

Derbi i javës së trembëdhjetë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll në mes të Feronikelit dhe Ballkanit zhvillohet sot (e shtunë) nga ora 13:00. Kjo ndeshje është e veçantë për skuadrën kampione nga Drenasi, pasi debuton trajneri i ri Agim Sopi, i cili e zëvendëson Dejan Vukiqeviq. “Nikli” një ditë para kësaj ndeshje e prezantoi trajnerin e ri, me të cilin synon t’u rikthehet rezultateve pozitive, pikërisht në një ndeshje derbi ndaj kryesuesit aktual të elitës, Ballkanit.

Gazeta ka kontaktuar disa prej futbollistëve të Feronikelit, por ata nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për ndeshjen e sotme, pasi klubi ka marrë vendim që ata të mos deklarohen për medie. Për ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” ka folur kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha, i cili ka lënë të nënkuptohet se skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi në secilën ndeshje kërkon fitore.

“Aktualisht jemi liderë falë formës, disiplinës dhe harmonizimit të mirë të ekipit. Çdo ndeshjeje i qasemi me përkushtim maksimal. Kjo ka bërë që ne tani të jemi më lart se ekipet e tjera. Edhe ndeshjen e radhës do ta marrim me përkushtim maksimal dhe do t’i qasemi ashtu si ndeshjeve të tjera”, ka thënë Berisha.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Suharekë, fituese kishte dalë skuadra e Ballkanit me rezultat 3-1. Pas 12 xhirove të zhvilluara është skuadra e Ballkanit ajo që dominon në Superligë me 26 pikë të grumbulluara, kurse “Nikli” është shtatë pikë prapa kryesuesve dhe renditet në vendin e gjashtë.

Prishtina kërkon tri pikë në Klinë

FC Prishtina sot (e shtunë) është mysafire e skuadrës së Dukagjinit. Mbrojtësi i kryeqytetasve, Ahmet Haliti, ka thënë se synim i Prishtinës në Klinë është fitorja.

“Ekipi po vazhdon të ketë formë të lartë bashkëngjitur edhe atmosferën shumë të mirë që po mbizotëron në skuadër. Vijmë pas disa rezultateve tejet pozitive. Kemi qëllim për ta vazhduar ende, edhe në ndeshjen në Klinë. Ndërsa Dukagjini, edhe pse nuk po gëzon formë të mirë, ka disa individë në përbërjen e vet shumë të mirë, të cilëve nuk duhet t’u japim hapësirë. Ne duhet ta kryejmë punën tonë, ta përmbushim obligimin që t’i arkëtojmë tri pikë dhe të jemi të qetë para derbit me Feronikelin. Jam optimist, i besoj formës dhe cilësive tona se do t’i marrim pikët e plota në Klinë”, ka shtuar Haliti.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e tetë në Superligën e Kosovës në basketboll do…