Sot derbi Peja – Rahoveci, nesër Ylli – Bashkimi
Në mesjavë zhvillohet xhiroja e 16-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet Vëllaznimit dhe Ponte Prizrenit.
Kuqezinjtë kanë katër fitore dhe 11 humbje, kurse prizrenasit dhjetë fitore dhe pesë humbje dhe do të mundohen t’u kthehen fitoreve pas humbjes nga Golden Eagle Ylli. Takim interesant shihet ndërmjet Pejës dhe Rahovecit. Të dyja skuadrat janë në formë të mirë dhe përballja në ‘Karagaçi’ shihet si shumë interesante.
Pejanët kanë dhjetë fitore dhe pesë humbje, kurse Vreshtarët 12 fitore dhe tri humbje, duke u renditur në vendin e parë. Të enjten do të përballen rivalët e vjetër, por që gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, Sigal Prishtina dhe Trepça. “Bardhekaltrit” kanë katër fitore dhe 11 humbje, kurse mitrovicasit tri fitore dhe 12 humbje.
“Bardhekaltrit” renditen në vendin e gjashtë me pikë të njëjta me Vëllaznimin, që renditet i shtati, kurse “Xehetarët” janë në vendin e tetë. Takimi i fundit është ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Ylli në fundjavë mundi Ponte Prizrenin, kurse Bashkimi pësoi nga Trepça. Therandasit kanë nëntë fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa prizrenasit tetë fitore dhe shtatë humbje.
SUPERLIGA – Java 16
Të mërkurën takohen:
15:00 Vëllaznimi – Ponte Prizreni
17:00 Peja – Rahoveci
Të enjten takohen:
15:00 Sigal Prishtina – Trepça
17:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi
/Epoka e re/