Sot dhe nesër zhvillohet java e fundit në Ligën Unike të Femrave
Në mesjavë zhvillohet xhiroja e dhjetë në Ligën Unike të Femrave apo e fundit për garat e rregullta, ku do të caktohet renditja përfundimtare dhe skuadrat që do të hyjnë në “play-off”.
Final 4 i Ligës Unike të Femrave do të zhvillohet në Vlorë më 15-16 mars. Takimi i parë i kësaj xhiroje është ndërmjet Penzës dhe Prishtinës. Këto dy skuadra u përballën edhe të premten në Superligën e Femrave në Kosovë, ku fituan vashat prishtinase 62:80.
Në ndeshjen e parë të këtij edicioni mes këtyre dy skuadrave prishtinaset kishin triumfuar bindshëm 91:68. Pejanet kanë dy fitore e shtatë humbje në Ligën Unike, kurse kryeqytetaset e Kosovës kanë pesë fitore e katër humbje. Të mërkurën do të zhvillohen dy takimet e tjera. Bashkimi do të ndeshet me Tiranën. Prizrenaset kanë gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa tiranaset tri fitore e gjashtë humbje. Dueli i fundit zhvillohet në mes të Partizanit dhe Flamurtarit.
Skuadra tiranase është në vendin e katërt me katër fitore e pesë humbje, ndërsa ajo vlonjate ka siguruar vendin e parë me shtatë fitore e dy humbje.
Liga Unike e femrave – Java 10
Të martën takohen:
17:00 Penza – Prishtina
Të mërkurën takohen:
17:00 Bashkimi – Tirana
17:00 Flamurtari – Partizani