Sot ditë zie në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e sotme, 17 prill të shpallet ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
Dy gra janë vrarë brenda pak ditësh në Kosovë. Njëri rast ndodhi në Ferizaj, e tjetri në Pejë. Në rastin e parë i dyshuar është ish-bashkëshorti i e në rastin e dytë bashkëshorti i viktimës. Situata po cilësohet si alarmante, teksa po kërkohen veprime urgjente për të parandaluar vrasjen e grave.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një reagim ka thënë se femicidi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duhet të ndalet me çdo kusht.
“Fatkeqësisht sot jemi zgjuar të gjithë në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të e një gruaje nga bashkëshorti saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se ri zgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb”, tha Osmani të martën.
Osmani tha se duhet të rizgjohemi kundër këtij fenomeni pasi nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur.
Ajo tutje i bëri thirrje të gjithëve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore, pasi një gjë e tillë po e njollosë shtetin dhe mund ta shkatërrojë atë nga brenda.
“Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore i cili siç e përmenda po e njollosë shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda. E kemi detyrë që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë dhe qytetarët”, ka thënë Osmani.
Gjatë ditës së hënë dhjetëra qytetarë marshuan në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, duke bërë thirrje për ofrimin e sigurisë për vajzat dhe gratë. Në marshin e organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Siguri për vajzat dhe gratë”, “Armiku ynë është patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura”.
Ata bënë thirrje për siguri për vajzat dhe gratë teksa marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, para së cilës protestuan.