Sot ditë zie në Kosovë, nderohet ish-sekretarja Albright
Sot është ditë zie në Kosovë në nderim të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 84 vjeçe.
Me vendim të presidentes Vjosa Osmani, flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Albright, e cila udhëhoqi diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë, konsiderohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që NATO të ndërhynte mbi caqet ushtarake e policore serbe – ndërhyrje kjo që çoi në çlirimin e Kosovës.
Ajo ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997.
Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.