
Sot do të kompletohet gjysmëfinalja e Kupës
27 shkurt 2025
| 11:09
Sot do të kompletohet gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës në futboll. Dy ndeshjet e fundit të fazës çerekfinale do të luhen sot duke filluar nga ora 13:00.
Derbi i moçëm mes Vëllaznimit dhe Prishtinës do të zhvillohet në Gjakovë. Kuqezinjtë e eliminuan Gjilanin në të tetën e finales duke e ngritur kështu optimizmin për ta bërë një tjetër ndeshje të madhe kundër Bardhekaltërve sot.
Nga ana tjetër, kryeqytetasit e shohin më të lehtë daljen në Evropë përmes Kupës duke e pasur parasysh se kanë mbetur paksa prapa me vendet që dërgojnë në Evropë përmes Superligës.
Ndërkaq, në duelin tjetër çerekfinal Drita shihet si favorite ndaj liderit të Grupit B në Ligën e Parë, Prishtina e Re.