Sot do t’i hulumtojmë kontaktet e të infektuarit në Korishë
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se situata epidemiologjike në të gjitha komunat e Kosovës është në menaxhim, e për rastin në Korishë të Prizrenit është duke u hulumtuar burimi i infeksionit.
Ramadani në emisionin Zyra e Ankesave në RTV Dukagjini tha se janë tejet të kujdesshëm që numri i të infektuarve në Korishë të mos rritet.
“Në Korishë nuk dihet burimi i infeksionit. Sot do të hulumtohen edhe kontaktet”, ka thënë drejtori i IKShP-së.
Ai bëri me dije se testimet po kryhen varësisht indikacioneve dhe nuk ka vonesa në këtë drejtim. Sipas tij, të gjitha rastet e kontaktit të gjurmuara e të testuara një ditë më parë kanë dalë negative.
Megjithatë, sipas tij, nuk ka vend për kënaqësi dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin pa nevojë dhe t’i zbatojnë rekomandimet e Institutit.
“Jemi në fillim të prillit, moti po përmirësohet dhe lus qytetarët të mos grumbullohen. Ruani higjienën, mbani distancën, se do ta kalojmë shpejt”, tha Ramadani.
I pyetur për rastet e të infektuarve në veri të Mitrovicës, ai tha se janë të gatshëm të shkojnë në veri e në jug, kudo që është e nevojshme.