Sot dy derbi në Superligë

23 janar 2021 | 10:21

Në Superligën e basketbollit sot (e shtunë) zhvillohen dy ndeshje derbi. Në Rahovec “Vreshtarët” e presin Prishtinën, kurse Ponte Prizreni e pret skuadrën e Pejës. Të dielën zhvillohen dy ndeshjet e tjera. Takohen Trepça – Ylli dhe Bashkimi – Vëllaznimi.

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 17-të e Superligës së Kosovës në basketboll. Sfida e parë do të zhvillohet ndërmjet Rahovecit dhe Sigal Prishtinës. Takimet ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë qenë interesante në vitet e fundit dhe kështu pritet të jetë edhe të shtunën.

“Vreshtarët” janë në vendin e parë me 12 fitore dhe katër humbje, kurse prishtinasit kanë katër fitore dhe 12 humbje. Ndeshje shumë interesante shihet ajo ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës, dy skuadrat që kanë grumbulluar nga 27 pikë, 11 fitore dhe pesë humbje. Skuadrat janë në formë të mirë dhe kjo pritet ta bëjë edhe më interesante këtë përballje.

Trepça, pas dy fitoreve radhazi, do të ndeshet me Golden Eagle Yllin, që në dy xhirot në stinorin pranveror ka mundur Ponte Prizrenin dhe Bashkimin. Fitorja është shumë e vlefshme për të dyja skuadrat të cilat kanë ambicie të ndryshme. Mitrovicasit kanë katër fitore dhe 12 humbje, ndërsa therandasit dhjetë fitore dhe gjashtë humbje.

Bashkimi – Vëllaznimi është ndeshja e fundit për këtë xhiro. Të dyja skuadrat janë pa fitore në stinorin pranveror, andaj përballja do të jetë shumë interesante. Prizrenasit kanë tetë fitore dhe tetë humbje, kurse kuqezinjtë katër fitore dhe 12 humbje.

SUPERLIGA E MESHKUJVE – JAVA 17

E shtunë takohen:
15:00 Rahoveci – Sigal Prishtina
17:00 Ponte Prizreni – Peja

Të dielën takohen:
17:00 Trepça – Golden Eagle Ylli
19:00 Bashkimi – Vëllaznimi

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë arrestuar edhe dy persona të cilët po dyshohet të…