Sot dy ndeshje në Superligën e basketbollit
Pas garave të Kupës dhe dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës, në mesjavë do të zhvillohet xhiroja e 20-të në Superligën e Kosovës në basketboll, ku pritet të ketë disa përballje interesante.
Sigal Prishtina, pasi fitoi Kupën e Kosovës, është e motivuar dhe do të përballet me Vëllaznimin, skuadër që ka bërë disa ndryshime, me synim për të mbijetuar. Prishtinasit kanë 25 pikë, dy më shumë se kuqezinjtë që ndodhen në vendin e fundit në renditje.
Rahoveci-Trepça, po ashtu, është takim interesant. Vreshtarët kanë grumbulluar 31 pikë, ndërsa mitrovicasit në stinorin pranveror janë këndellur dhe kanë 25 pikë, derisa qëllimi i vetëm mbetet mbetja në elitën e basketbollit. Të enjten do të përballen skuadrat prizrenase Ponte Prizreni – Bashkimi, apo të vetmet që nuk kanë ndërruar trajnerët në këtë edicion. Ponte ndodhet në pozitë më të mirë, pasi ka grumbulluar 32 pikë, kurse Bashkimi ka 29, dhe synon “play-off”-in. Dueli i fundit, por më interesanti është ai në mes të Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Këto dy skuadra pasi nuk arritën të fitojnë Kupën, do të përqendrohen 100 % në kampionat, me synimin për të triumfuar në fund. Pejanët ndodhen në vendin e tretë me 31 pikë, kurse therandasit janë në vendin e parë me një pikë më shumë.
SUPERLIGA – Java 20
Të mërkurën takohen:
15:00 Sigal Prishtina – Vëllaznimi
17:00 Rahoveci – Trepça
Të enjten takohen:
15:00 Ponte Prizreni – Bashkimi
17:00 Peja – Golden Eagle Ylli
/Epoka e re/