Sot dy vjet prej kur Hashim Thaçi u bë president
Sot janë bërë dy vjet prej kur Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit.
Thaçi u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve derisa zgjedhja e tij në këtë post pati shumë polemika dhe kundërshtime.
Atë ditë, protestues të shumtë u mblodhën para Kuvendit të Kosovës ku kundërshtuan zgjedhjen e tij President derisa protesta u zhvendos edhe brenda Kuvendit me partitë opozitare që dy herë radhazi hodhën gaz lotsjellës, njofton Klan Kosova.
Pas nxjerrjes me forcë të deputetëve të opozitës nga salla plenare e Kuvendit, protesta jashtë Kuvendit u tensionua.
Dhjetëra protestues filluan të gjuajnë koktej mollotovi në drejtim të policisë.
Flaka shpërtheu gjithandej – gjithashtu edhe gazi lotsjellës nga policia, ndjekja e protestuesve, përdorimi i topave të ujit dhe gurëve nga ana e protestuesve drejt policisë.
Hashim Thaçi detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia” ishte betuar ai në foltoren e Kuvendit.
Thaçi para se të jetë në postin e presidentin ka qenë zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme nga viti 2014 deri 2015 si dhe kryeministër i Kosovës në dy mandate nga viti 2007 deri më 2014.
Ai ka drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president të Kosovës.