Sot “El Clasico” në mes të Realit dhe Barçës
Qyteti i Madridit nuk do të jetë vetëm kryeqyteti i Spanjës, por edhe i futbollit botëror, pasi të shtunën në “Santiago Bernabeu” do të luhet “El Clasico” në mes të Realit të Madridit dhe Barcelonës.
Të gjitha televizionet do ta transmetojnë ngjarjen e madhe futbollistike, me përjashtim të Koresë së Veriut, Mongolisë, Maltës dhe Papua Guinesë së Re. Në Shqipëri dhe Kosovë kjo sfidë do të transmetohet nga paketa “Supersport” e platformës “Digitalb”. “El Clasico” e së shtunës do të jetë e 175-ta në mes të Realit të Madridit e Barcelonës, me “Los Blancos” që kanë një avantazh të lehtë me 72 fitore kundrejt 69 humbjesh, me 283 gola të shënuara e 277 të pësuara.
Kjo sfidë është sinonimi i emocionit, spektaklit, sidomos golit. Prej 15 vjetësh nuk ndodh që “El Clasico” të mbyllet me barazim pa gola. Herën e fundit që Reali e Barcelona mbetën “thatë” ka qenë në sezonin 2002/2003, në “Camp Nou”. Për sa iu përket përballjeve në “Bernabeu”, duhet të kthehemi më prapa në kohë për ta parë rezultatin 0-0 në sezonin 1986/87. “Bernabeu” është konsideruar si fortesa e Realit, por në dekadën e fundit në përballjet me Barcelonën ky stadium ka rezultuar të ketë qenë e kundërta.
Kanë qenë katalanasit ata që në këtë impiant kanë shfaqur potencialin e tyre. Madje disa fitore të tyre kanë hyrë në histori, siç është ajo e sezonit 2005/2006, ku Ronaldinho dha një spektakël të vërtetë, duke marrë edhe duartrokitjet e tifozëve të Realit. Po kështu, nuk harrohet as fitorja 1-3 e vitit 2011, ajo 0-4 e vitit 2015 apo edhe ajo 2-3 e sezonit të kaluar. Por, data më e paharruar për të gjithë tifozët katalanas e jo vetëm është 2 maji 2009, kur Barcelona mori një fitore tenistike në “Bernabeu” 6-2, duke vulosur përfundimisht fatin e La Ligës së atij sezoni. Barça ka një avantazh prej 11 pikësh në prag të kësaj përballjeje, por kjo statistikë do të harrohet në fushën e gjelbër, pasi “El Clasico” është më shumë se një ndeshje e thjeshtë futbolli.