Sot fillon Evropa Liga
Nis sot sezoni i ri i Evropa Liga ku 48 skuadra do të kërkojnë të fitojnë këtë trofe që mbahet nga Atletico Madrid me skuadrën e Simeones që është pjesë e Ligës së Kampionëve.
Në këtë edicion nuk mungojnë emrat e rëndësishëm të futbollit evropian si Milan apo Arsenali që do të luajnë ndeshjet e tyre në orën 21:00. Kuqezinjtë e Gattusos do të udhëtojnë drejt Luksemburgut për t’u përballur më debutuesit e Dudelange në ndeshjen e tyre të grupit F.
Trajneri italian ka vendosur të bëjë rotacion në skuadër, po pa hequr dorë nga Romagnoli dhe Higuain. Ndërsa Arsenali do të presë në Emirates Stadium skuadrën e Vorsklës. Kjo do të jetë përballja e parë mes londinezëve dhe ukrainasve në kompeticionet evropiane.
Në të njëjtën kohë, kjo është hera e parë që Arsenali do të luajë në një eveniment të tillë si Europa League nën drejtimin e Unai Emery që mori vendin e Arsene Wenger. Në të njëjtën fashë orare do të luajë edhe Anderlechti pjesë e të cilit është edhe Kristal Abazaj me skuadrën belge që do të përballet me skuadrën e Spartak Trnavës, ndërkohë që në Lisbonë, Sportingu do të presë Qarabagun, raporton “Tch”.
Në orën 18:55 do të zbresin në fushën e lojës skuadra si Chelsea apo Lazio. Blutë e Londrës janë në Grupin L dhe do të nisin këtë sezon në përballjen me PAOK e Athinës. Chelsea që e ka fituar këtë kompeticion në vitin 2013 nuk do të ketë në radhët e tij Eden Hazard që mesa duket i ka kërkuar trajnerit Sarri që ta lërë pushim për këtë përballje.
Ndërsa Lazio do të luajë me Apollon Limassol. Bardhekaltrit e Inzaghit nuk do të kenë në radhët e tyre Luiz Felipen, Berishën, Lukakun dhe Radu, ndërkohë që do të mungojë edhe Strakosha të cilin Inzaghi ka preferuar ta lërë në tribunë në këtë përballje.
Sfidë interesante është edhe ajo që do të luhet në Spanjë mes Villarreal e Glasgow Rangers se Eros Grezdës dhe trajnerit Steven Gerrard me skuadrën skoceze që rikthehet në fazën e grupeve të një evenimenti si Europa League pas 8 vitesh.