Sot fillon faza e dytë e dezinsektimit në komunën e Prishtinës
Sot në Komunën e Prishtinës fillon faza e dytë e dezinsektimit hapësinor.
“Kjo ditë është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin”, është bërë me dije në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
“Duke u bazuar në këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve”.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dezinsektimi do të bëhet nga ora 19:30 deri në orën 23:30 (24:00).
Sipas njoftimit të komunës, bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi.
/Epoka e re/