Sot finalja e parë në mes të Besës dhe Prishtinës
Ndeshja e parë finale e “play-off”-it në kampionatin e Kosovës në hendboll për meshkuj luhet sot (e enjte) nga ora 21:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Kampionia aktuale, Besa FamGas, takohet me Prishtinën, të cilën e kishte rivalen më të madhe këtë edicion. Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në kryeqytet, ndërsa skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, shpallet kampione. Në ndeshjen e tretë eventuale, vendëse është Besa për shkak se kampionatin e rregullt e ka përfunduar në pozitë më të mirë se Prishtina.
Besa ishte e para në Superligë me 54 pikë nga 28 ndeshje, ndërsa Prishtina e dyta me 50 pikë. Në gjysmëfinale të “play-off”-it, Besa me dy fitore bindëse e kaloi Dritën e Gjilanit. Ndërkohë, Prishtina, pas dy ndeshjeve, e eliminoi Kastriotin e Ferizajt. Besa e Prishtina këtë edicion janë takuar pesë herë. Në katër përballjet kampionale Besa ka fituar tri herë, ndërsa një fitore i ka takuar Prishtinës. Ekipi pejan fitoi edhe në finale të Kupës me rezultat 31:29.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)