Sot gjyqi ndaj “El Chapo”, blindohet New York
Gjyqi i “lordit të drogës”, “El Chapo” do të fillojë sot në New York nën masa të rrepta sigurie. Joaquin Guzman u arrestua në Janar 2016 pasi u arratis nga burgu përmes një tuneli të nëndheshëm.
Meksikani është lideri i kartelit famëkeq “Sinaloa”, që trafikon sasitë më të mëdha të drogës nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtu përfshihen drogëra të forta si metamfetamina, kokaina dhe heroina. Bashkëpunëtorët kryesorë të “El Chapo”, pritet të dëshmojnë kundër tij.
Joaquin Guzman dikur ka qenë një nga personat më të pasur të botës dhe i fshihej drejtësisë. Përveç se ka drejtuar kartelin meksikan më të madh të drogës, ai ka urdhëruar edhe vrasjen e rivalëve të tij. Ky kartel është aktiv edhe ditët e sotme.
Autoritetet amerikane kanë organizuar një plan sekret se si do të transferojnë “El Chapo”-n drejt Gjykatës. “BBC” ka raportuar se është parashikuar edhe mbyllja e urës së Brooklyn. Joaquin Guzman mbahet në një burg të sigurisë së lartë në Manhatan. /tvklan.al/