Sot gjysmëfinalet e Kupës në futboll
Sot (e mërkurë) do të zhvillohen ndeshjet e para në fazën e gjysmëfinales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Në Gjakovë skuadra e Vëllaznimit, që bënë gara në Ligën e Parë, do të luajë ndaj Trepçës ’89 që është pjesë e IPKO Superligës.
Trajneri i skuadrës gjakovare, Ismet Munishi, ka premtuar maksimumin ndaj 89-shit për fitore. “Janë dy ndeshje me Trepçën ’89. Sfidat duhet të shikohen në dy pjesë. Nuk bën të na kaplojë euforia. Do të jetë spektakël i futbollit. Angazhim dhe luftë të pakompromis, u premtoj tifozëve”, ka deklaruar Munishi për “Olle”.
Për këtë ndeshje ka folur edhe futbollisti i Trepçës ’89, Engjëll Hoti. Ky i fundit ka deklaruar se do të jenë dy përballje të forta ndaj Vëllaznimit. “Kam dëgjuar për tifozët e Vëllaznimit, se janë shumë të mirë në tribuna. Sa iu përket ndeshjeve, do të luhen dy dhe nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Hoti, i cili ia siguroi ’89-shit fitoren në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Ballkanit (2-1), pasi realizoi dy golat e fitores.
Gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani e pret Feronikelin. Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për trajnerin e ri të Ballkanit, Gani Sejdiun, i cili në të kaluarën ka drejtuar me sukses “Niklin”. Të dyja ndeshjet fillojnë nga ora 15:00.
Gjysmëfinalja e Digitalb Kupës
Të mërkurën takohen:
15:00 Vëllaznimi – Trepça ’89
15:00 Ballkani – Feronikeli
/Epoka e re/