Sot hapet panairi i librit “Prishtina 2023”
Sot do të hapet panairi i librit “Prishtina 2023”.
Ceremonia e hapjes do të bëhet në ora 12:00, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00.
Në këtë panair ëhstë paralajmëruar të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth 2 mijë tituj të rinj në panairin “Prishtina 2023”.
Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.
Do të ketë mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin kurorëzimi i veprimtarisë letrare të shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, me botimin e kompletit shtatëvëllimësh të veprave letrare, të cilat përfshijnë shtatë dekada krijimtari; botimi dhe promovimi i vëllimit të fundit të ditarëve të Rexhep Qosjes, një komplet prej nëntë vëllimesh.
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.
Panairi do të mbyllet më 11 qershor në orën 18:00/kp